Çelet Panairi i Punës në Elbasan

Nëpërmjet panairit të punës sipërmarrje nga sektorë të ndryshëm ofruan 1,567 vende të lira pune në Rajonin e Elbasanit. Bizneset prezentë në këtë panair janë në kërkim të punonjësve të kualifikuar, megjithatë, shumë prej tyre shprehen se ofrojnë edhe trajnime për punonjësit që nuk zotërojnë kualifikimet e duhura për vendet që ata ofrojnë. Në këtë panair janë të reklamuar vende të lira pune jo vetëm me rroga të ulëta, por edhe me rroga më të larta për pozicione që kërkojnë më tepër kualifikim.

I pranishëm në këtë panair ishte Kryeministri Edi Rama, i cili theksoi se nëpërmjet këtyre panaireve synojmë të afrojmë njerëzit drejt bizneseve me ndërmjetësimin e zyrave të punës dhe për t’ua bërë të prekshëm informacionin e tregut të punës.

Kryeministri u bëri thirrje të gjithë atyre që jetojnë në këtë territor të mund të vijnë dhe të komunikojnë vetë me kompanitë dhe zyrat e punës që do të jenë përherë në funksion të ndërmjetësimeve. Gjithashtu u theksua se në sistemin e zyrave të punës së Rajonit të Elbasanit ka një përmirësim të dukshëm të rezultateve, sepse metodologjia e ndryshuar e funksionimit të zyrave dhe vendosja e objektivave të përmuajshëm për çdo zyrë ka krijuar një atmosfere të re dhe kushte për rezultate shumë herë më cilësore.

Një çështje e rëndësishme që u theksua ishte fakti se zyrat e punës kanë mundësuar ndërmjetësime për punësim real edhe për shumë individë nga familje të dala prej skemës së ndihmës ekonomike, por edhe për ata që nuk zotërojnë një profesion u mundësohet trajnim profesional falas në mënyrë që të mund të integrohen në tregun e punës.

Ndër të tjera u theksua edhe rëndësia e arsimit profesional si një garanci më e madhe për punësimin e të rinjve.